Lokale - eSIMy

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës, ka njoftuar se për periudhën janar-shkurt 2019 kthimi bruto nga investimet ka shkuar në rreth plus 90 milionë euro, ose një rritje e çmimit të aksionit prej +5.1%.
Me këto ngritje tejet pozitive të këtyre dy muajve të parë të vitit 2019, është kompensuar plotësisht, por edhe tejkaluar, rënia e vlerës së investimeve gjatë tre muajve të fundit të 2018-s.

“Performanca e investimeve të FKPK-së vazhdon të jetë e bazuar në strategjinë afatgjatë të investimeve e jetësuar nga Bordit Drejtues i FKPK-së. Përderisa në afatgjatë kjo strategji është treguar e suksesshme me kthim nga investimet mbi 410 milionë që nga themelimi, duhet theksuar atë që në vazhdimësi e kemi deklaruar, se lëvizjet afatshkurtra (ngritjet e rëniet) në tregjet financiare janë të zakonshme, si një proces ciklik, dhe në të ardhmen e afërt mund të vazhdojnë të ndikohen nga marrëveshja mes SHBA-ve dhe Kinës, Brexit si dhe çështjet e tjera gjeopolitike dhe makroekonomike”, theksohet në profilin e Trustit në Facebook, shkruan lajmi.net.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e ka përmbyllur vitin 2018 me mbi 85 milionë euro humbje. Ky institucion gjatë vitit që kemi lënë pas ka pasur një rënie të performancës të investimeve për 5.2 për qind.

Kjo rënie është arsyetuar me luhatje në tregjet financiare globale, megjithatë njohës të çështjeve ekonomike kanë kërkuar përgjegjësi nga ky institucion për rrezikimin e kontributeve të qytetarëve.