82-vjeçari, Ramiz Bordoniqi, që u arrestua në Kosovë pas kërkesës së Interpolit dhe kërkesës për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdiq më 2 Korrik në Në Kliniken e Neurologjisë të SHSKUK-së dhe se i njëjti vuante nga Hypotensio Arteriales, Diabet Mellitus tip 2 dhe Bronchitis.
Gazeta Express para disa ditwsh ka raportuar pwr kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të njëjtit e lëshuar më 12.06.2019.
Në kwrkesw përmenden edhe detajet se për çfarë akuzash dyshohej dhe arsyeja e kërkesës për ekstradim nga SHBA-të.
“Në kërkesën për ekstradim ceket se në vitin 1998 Ramiz Bordoniqi ka hyrë në SHBA ku ka qëndruar në mënyrë ilegale ashtu që nga viti 1998 deri në shtator të vitit 2001 i njëjti ka ndihmuar vëllain e tij që të zhvilloj një ndërmarrje prostitucioni dhe narkotikëve në Fairbanks, Alaska”, shkruhet në dokument.
Më tutje, këtu thuhet se tanimë i ndjeri kishte ndihmuar vëllain e tij, që veprat e dyshuara, i kishin zhvilluar në një sallon masazhes, restorant dhe një biznes tjetër.
“Vëllai i tij ka mbajtur një lloj biznesi dhe llogari bankare për një sallon masazhesh, restorant dhe biznes të ndërrimit të çeçeve dhe se sallonin për masazh e ka përdorur për shfrytëzimin e prostitucionit dhe shitjen e kokaines, duke shitur së paku 345 gram kokainë nga marsi i vitit 1998 e deri në nëntor të vitit 2000. Vëllau i të njëjtit në shtator të vitit 2000 ka blerë një veturë në SHBA me çmim prej 25.000 dollarë amerikan dhe atë nga aktiviteti kriminal i Ramizit dhe vëllait të tij”.
Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.
Për këto tre vjet, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllanë e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.
82-vjeçari u arrestua në Gjakovë ditë më parë, derisa dje Prokuroria Themelore e Gjakovës bëri kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
“Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim, prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar prokuroria përkatëse për këtë rast.
Ai ishte larguar nga Amerika pasi që dyshohet se ka kryer të gjitha këto vepra, për të cilat është vënë edhe në kërkim ndërkombëtar.
82-vjeçari që u arrestua në Gjakovë
Express mëson se gjatë arrestimit, ai ka kundërshtuar policinë që po kryente aksionin, duke thënë se për të gjitha veprat për të cilat dyshohet nuk ka qenë ai fajtor, mirëpo një shok e vëllai i tij.
Ai që disa vite është në pension, mirëpo pas kthimit nga Amerika kishte punuar në Gjakovë në një biznes familjar si mekanik i makinave rrobaqepëse.
Për këtë temë, Express ka kontaktuar edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, që ditë më parë ka nënshkruar protokollin për marrëveshjen e ekstradimit mes Kosovës e SHBA-së.
Tahiri tha se deri më tani ende nuk ka marrë ndonjë vendim nga gjykatat në Kosovë për ekstradim të ndonjë personi, derisa ka sqaruar se pasi që lënda dorëzohet në prokuroritë përkatëse, këto të fundit vendosin përmes gjykatës nëse personi në fjalë ekstradohet për në Shtetet e Bashkuara.
“Përmes gjykatave kalojnë, deri më tani ende nuk kam marrë vendim nga ndonjë gjykatë se është vendosë me u ekstradu ndonjë person për në SHBA. Lënda fillimisht vjen nga Amerika, kërkohet një person, tregohen veprat për të cilat dyshohet, akuzat. Pasi që ato kalojnë në prokurori e gjykata, procedohet, edhe mbrohet e në fund vendos gjykata nëse do të ekstradohet për në SHBA apo jo”, tha ministri Tahiri.
Ndryshe, në Kosovë, ditë më parë u arrestua edhe biznesmeni kosovar, Imer Shahini, nën dyshimet se ka kryer mashtrime milionëshe.
Ai dyshohet se bën pjesë në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Ai në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.
Me kërkesë nga SHBA-ja është arrestuar edhe Binak Gjergjaj. Binak “Kolë” Gjergjaj nga Deçani u shpall në kërkim pas dyshimeve se në vitin 2001 ka vrarë gruan e tij, Afërdita Gjergjajn.
Afërdita Gjergjaj, ish-bashkëshortja e Binak Gjergjajt, u zhduk më 26 shkurt të 2001-s, pasi ishte takuar me Binak Gjergjajn në Miçigan ku edhe do të diskutonin për kujdestarinë e fëmijëve.
Protokolli i instrumenteve për Ratifikimin e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes të Kosovës e SHBA-së u nënshkrua ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.






