Janë duke vazhduar zbukurimet dhe përgatitjet për nder të festës së 28 Nëntorit në Podujevë, raporton Llapi.info
Një ditë para festës së 28 Nëntorit, një grup i vullnetarëve kanë vazhduar edhe sot me vendosjen e flamujve në magjistralen Podujevë-Merdare.
Përveç tyre, sot pankarta me emrat e heronjve Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti e Edmond Hoxha, është vendosur mbi urë në këtë fshat dhe në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini”.
Kujtojmë, në këtë pjesë e cila të çon për në Serbi, është zbukuruar me flamuj kuqezi edhe gjatë ditës së djeshme.
Baki Ejupi, që është veteran i UÇK-së e nënoficer i FSK-së, për çdo vit organizon vendosjen e flamujve në pjesë të ndryshme të Podujevës.
Një gjë të tillë thotë ta ketë borxh për ata që dhanë shumë për kombin shqiptar.
“Kjo është një simbolikë shumë e vogël krahasim me punën dhe gjakun e derdhur për flamurin kombëtar. Unë kam shumë bashkëluftëtar që i kam njoftë që sot nuk janë ma në këtë botë. Mundohem nëpërmes kësaj punë simbolike me përcjellë amanetin e tyre që kurrë mos me harru simbolin kombëtar”, ka thënë Ejupi./Llapi.info
Më poshtë pamjet nga zbukurimet:









