Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, janë 21 policë të vrarë gjatë detyrës zyrtare dhe mbi 400 policë të lënduar. Nuk janë të rralla rastet kur në aksione u rrezikohet jeta edhe e atyre që janë të thirrur për të ofruar rend e siguri. Madje, këto situate janë shpeshtuar ditëve të fundit, pas incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, thotë për Ekonomia Online, se është për keqardhje që një kategori siç janë Policia e Kosovës mos të kenë sigurim shëndetësor.

Ai ka kërkuar nga institucionet qeverisëse që të ndërmarrin hapa konkret, në mënyrë që pjesëtarët e PK-së, të kenë sigurim shëndetësor.

“Realisht kjo nuk është një lajm i mirë. Institucionet e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë kanë pasur tentativa për ta rregulluar sigurimin shëndetësor për Policinë por edhe për kategoritë e tjera, unë e kuptoj se Policia është më e ndjeshme. Unë kam informata që në kohën sa ishte zotri Qalaj drejtor, që ishte afër për të ardhë deri te një marrëveshje e për të gjetur një rrugë ligjore për të bërë sigurimin shëndetësor për Policinë, por fatkeqësisht ende nuk kemi një hap konkret. Unë besoj se institucionet duhet sa më shpejtë që ta rregullojnë këtë çështje”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, tha se duke e parë që Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr asgjë në këtë drejtim, së bashku me kolegët e partisë kanë diskutuar për të gjetur një rrugë ligjore që të rregullohet sigurimi shëndetësor i PK-së.

“Është koincidencë por edhe dje e kemi pas rastin me disa nga deputetët e PDK-së, kemi diskutuar që ta gjejmë një rrugë më të shpejtë ligjore që të rregullohet çështja e sigurimit shëndetësor për pjesëtarët e Policsë së Kosovës. Megjithatë ne kemi pasur një zotim të Qeverisë aktuale që sigurimi shëndetësor do të jetë prioritet i tyre që nga viti i parë por nuk kemi parë ndonjë hap konkret jo vetëm për policinë por për asnjë kategori”, tha ai, duke shtuar se sigurimi shëndetësor duhet të rregullohet për të gjitha kategoritë.

Kritika ka edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha. Ai për Ekonomia Online thotë se pos mungesës së sigurimeve shëndetësore, pjesëtarët e PK-së kanë nevojë edhe për uniforma e pajisje tjera përcjellëse.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka aprovuar as Ligjin e Pagave në këtë situatë të rëndë për vendin. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë as sigurimin shëndetësor për Policinë, pra siç duket iu ka ardhur fundi me u arsyetuar se çfarë është bërë këto 20 vite. Tani kjo është e nevojshme, është emergjente dhe duhet të ndodhë. Kemi me qindra policë që sëmundje kronike dhe ata nuk mund të dalin në punë. Ka shumë nevoja, duke përfshirë uniformat, mjeteve motorizuese e gjitha këto i kemi adresuar edhe në Komisionin për Siguri”, tha Berisha, teksa thotë se AAK-ja do ta përkrah çfarëdo iniciative për këtë çështje.

“Çka do që është në pyetje për ushtarët e FSK-së, për AKI-në dhe për Policinë, do të jenë votat tona dhe kontributi jonë. Veç le të bëhet se nuk duam merita në këtë drejtim”, thotë Berisha.