20 mijë qytetarë kanë aplikuar për 100 vende pune të lira në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ndër ta edhe banorë të Fshatit Shipitullë, të cilëve u është garantuar punësimi përmes marrëveshjes për shpronësim. Por, edhe pse ky është konkursi i katërt i hapur që nga viti i kaluar kur janë nënshkruar marrëveshjet, asnjë prej banorëve nuk ka arritur të pranohet.
Banorët e Fshatit Shipitullë të Obiliqit nuk po arrijnë të hyjnë në punë në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në marrëveshjen të realizuar me Qeverinë, më 15 shtator 2017, përveç shpronësimit, u ishte garantuar edhe punësimi, raporton KTV.
Meriton Mjekiqi, i cili ka aplikuar në konkursin e kaluar, ka treguar se përkundër pikëve maksimale nuk është pranuar.
Për dallim nga Meritoni, Albion Mjekiqi në dy konkurset që ka aplikuar tregon të jenë anuluar.
Udhëheqësi i fshatit, Nexhmedin Mjekiqi, ka treguar se punësimi ka qenë kushti i parë që është kërkuar të plotësohet në mënyrë që të vazhdojë shpronësimi.
Në Korporatën Energjetike të Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen.
Mirëpo, burime brenda saj kanë treguar se është duke u diskutuar mundësia e dështimit të konkursit.
Kjo për shkak se në konkursin e fundit për 100 vende të lira pune kanë aplikuar 20 mijë qytetarë.
Sipas tyre, është e pamundur proceduralisht të intervistohen të gjithë të interesuarit brenda afatit ligjor.
Përveç këtyre, burimet kanë thënë se është duke u ushtruar presion i madh nga fshatrat e shpronësuara të Obiliqit, që kërkojnë të punësohen mbi 300 persona.
\