Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Në raportin 24 orësh të Policisë raportohej për hetim të vdekjes ku një burrë e një grua janë gjetur pa shenja jete e pranë tyre është gjetur edhe një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve, njofton Klan Kosova

Klan Kosova nga burime të veta merr vesh se viktimat janë fqinj mes vete, ku viktima mashkull ishte i lindur më 1962 (58 vjeç) dhe vajza e mitur e lindur më 2003 (17 vjeçare) dhe se vajza ka vrarë fillimisht viktimën e pastaj është vetëvrarë.

Trupat e viktimave janë dërguar në obduksion dhe gëzhojat për ekzaminim teksa ende nuk dihet motivi i ngjarjes së rëndë.

“Mbasi është pranuar informata prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Policinë dhe trupat e pajetë janë dërguar për obduksion si dhe arma dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekzaminim dhe në bazë ta saj mund të kuptohet motivi i ngjarjes – kaq mund të them tani”, deklaroi zyrtari për media në Prokurorinë e Pejës, Shkodran Nikçi.

Mbrëmjen e kaluar në Vitomiricë janë arrestuar katër person të dyshuar në vendin e ngjarjes pasi të njëjtit kishin sulmuar dy policë.

Të arrestuarit janë familjar të vajzës këtë për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Po mbrëmë janë arrestuar katër persona pasi kanë sulmuar dy zyrtarë policor që ishin duke kryer punën në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë tentuar të kalojnë shiritat e vendosur nga policia dhe janë familjarë të viktimës femër”, deklaroi Gashi.