Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka premtuar punësim, rimëkëmbje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rast se qytetarët i besojnë qeverisen e re të vendit. Zyrtarë të kësaj parti kanë thënë se prioriteti i qeverisjes së tyre do të përqendrohet tek lufta kundër nepotizmit, lufta kundër korrupsionit, ndërkaq zhvillimi ekonomik do të varet nga një stabilitet i brendshëm që, sipas tyre, mund të arrihet vetëm përmes PDK-së.

Gjatë një takimi të mbajtur në fshatin Miradi e Epërme, kandidati për deputet i kësaj partie nga Komuna e Fushë Kosovës, Rrahim Ternava, i shoqëruar nga ish-ministri i drejtësisë Abelard Tahiri, ka vënë theksin tek mundësia e hapjes së shumë fabrikave të vogla si dhe investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të cilat, ashtu si dikur, nuk do ta lënë askënd pa punë. “Me programin zhvillimor të qeverisë së re do të kemi shumë mundësi për t’iu ndihmuar shtresave të ndryshme dhe do të gjejmë hapësirë për punësime. Këtu do të ketë mini-fabrika, ashtu siç ka pasur dikur shumë zanate të ndryshme që kanë punuar në Miradi por edhe në Fushë Kosovë. Do t’iu kthehemi zanateve, do t’iu kthehemi investimeve me grande të vogla për secilën familje kushdo që ka nevojë për të punuar”, ka thënë Ternava.

Ai ka folur edhe për programin e digjitalizimit të Fushë Kosovës, i cili program, veç tjerash, do t’iu mundësojë lansimin në treg dhe shitjen e sigurt të prodhimtarisë së fermerëve dhe bizneseve të tjera të Miradisë së Epërme dhe fshatrave të tjerë të Fushë Kosovës. Ternava tha se ky program do të vihet në përdorim në rast se ai hyn në Parlamentin e Kosovës, prandaj kërkoi votën e qytetarëve të kësaj komune.

Ndërkaq, kandidati tjetër për deputet dhe ish-ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ka ardhur në Fushë Kosovë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune për kandidatin Rrahim Ternava, i cili do të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e interesave të fushkosovarëve në Kuvendi e Kosovës. “Fushë Kosovës i duhet një përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo mund të arrihet pikërisht përmes jush. Fushë Kosovës i duhet një përfaqësim në Parlament sepse, siç keni mund ta vëreni, në dy vitet e fundit as edhe një herë askush as një fjalë nuk e ka thënë”, ka thënë Tahiri duke shtuar se, në këtë drejtim, Ternava do ta ketë mbështetjen e pakursyer të qeverisë së drejtuar nga Kadri Veseli, në rast se PDK-ja do t’i fitoj zgjedhjet e 6 tetorit.