Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas deklaratës së Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se audio-incizimet e Kusari-Lilës me Slavko Simiq janë të paligjshme, të montuara e redaktuara, shkruan Reporteri.net.

Deliu-Kodra tha se është rrënuese për Kosovën që Ministrja e arsyeton koordinimin e Kusari-Lilës në emër të Kurtit, me kriminelim Radojiçiq.

Ajo gjithashtu ka ftuar Prokurorin e Shtetit të intervistojë Kryeministrin Kurti dhe shefen e GP të VV-së, për t’i pyetur rreth Radojiçiqit.

“Është rrënuese për Kosovën kur Ministrja e Drejtësisë e arsyeton koordinimin e Mimoza Kusarit, në emër të Kurtit, me kriminelin Milan Radojçiq, për të cilin ka urdhërarrest nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe që është në Listën e Zezë të SHBA-ve.

Prokurori i Shtetit, duhet urgjentisht të ndërmarrë veprimet ligjore dhe t’i ftojë në intervistim, deputeten Kusari dhe kryeministrin Kurti, për t’i pyetur për njohuritë e tyre për të kërkuarin e drejtësisë kosovare”, ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook.