Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas kalimit të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së presidentes së re.
Në reagimin e tij, Mustafa thotë se historia na kujton se kur jemi bashkuar rreth interesit të vendit, kemi qenë më të fortë.
Shkrimi i plotë:
Kosova di të pajtohet.
Historia na kujton se, kur jemi bashkuar rreth interesit të vendit, kemi qenë më të fortë.
Kompromisi na ndihmoi të ndërtonim institucionet më 2002. Rivalët politikë qeverisën së bashku në momentin historik të Pavarësisë më 2008. Pas bllokadës së vitit 2014, marrëveshja politike i hapi rrugë një periudhe në të cilën Kosova nënshkroi MSA-në me Bashkimin Evropian.
Edhe marrëveshja e mbrëmshme na rikujton se kundërshtari politik nuk është armik.
Dhe ky unitet na duhet edhe për përballjen që na pret: për çlirimtarët tanë, për të vërtetën dhe trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare, gjithmonë duke respektuar drejtësinë dhe institucionet.
Mund të dallojmë për shumëçka, por për interesat themelore të shtetit duhet të dimë të bëhemi bashkë.
Sepse një Kosovë e bashkuar është më e fortë përballë çdo sfide.
Mbi partitë, Kosova






