Të tjera lëkundje tërmeti janë regjistruar, pas tij të të shtunës me magnitudë 5.1 ballë në zonën e Dibrës. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit gjithsej që nga 11 gushti janë regjistruar 20 lëkundje të ndryshme.
Nga të dhënat raportohet se këto lëkundje kanë qenë më magnitudë të vogël. Dy lëkundjet e fundit janë regjistruar në Bulqizë. Në orën 03:15 IGJEUM ka regjistruar tërmetin me magnitudë 2 ballë 16 Kilometra në Veri të Bulqizës. 9 minuta më vonë është regjistruar tërmeti tjetër, po në Bulqizë me magnitudë 2,4 ballë.
Mbi 200 banesa në qarkun e Dibrës kanë pësuar dëme nga lëkundja e fortë e tërmetit që u regjistrua të shtunën. Në pjesën më të madhe të tyre ka patur dëmtime të mureve dhe tavaneve, ndërkohë që disa dhjetëra janë bërë thuajse të pabanueshme.
Lëkundjet e forta, që u regjistruan në orën 17.40 të së shtunës, u ndjenë në qytete të ndryshme të vendit por dhe në rajon, për shkak të thellësisë së tij, sipas shpjegimit të sizmologëve.
Tërmeti ishte i ngjashëm me atë të 4 korrikut, i cili ishte me epiqendër në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit, 31 kilometra në veriperëndim të Tiranës, dhe që shkaktoi jo pak panik, kryesisht në kryeqytet, ku banorë të shumtë dolën nga shtëpitë dhe zyrat, duke qëndruar për një kohë të gjatë në mjedise të hapura.






