Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kështu është njoftuar përmes një komunikate për media, ku është shtuar se, Kurti dhe Borell kanë biseduar për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, shkruan lajmi.net.
Po ashtu thuhet se Kurti është shprehur se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti bisedoi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell
Prishtinë, 21 tetor 2022
Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ata folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, dhe për çështje aktuale.
Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.






