Plasja e skandalit me mishin e prishur të importuar nga Belgjika në Kosovë, vuri në lëvizje Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Pas rastit, asnjë kilogram i këtij produkti nuk u fut në Kosovë nga Belgjika.
Kosovarëve në tryezat e tyre më nuk po u servohet mish i importuar nga Belgjika, shkruan lajmi.net.

Skandali me thertoren “Veviba” nga Belgjika, ka detyruar autoritetet kosovare që më mos të blejnë mish nga ky shtet.

Madje, në lidhje me këtë rast, ishte arrestuar edhe pronari i kompanisë importuese “Euro Ida”, Anton Jupa.

Lamir Thaçi zëdhënës i AUV, për lajmi.net ka thënë se në vitin e fundit, Kosova ka importuar më së shumti mish nga tri shtete.

“Vendet nga të cilat më së shumti kemi pasur import vitin e fundit janë: Brazili, Polonia, Gjermania dhe vende të tjera”, është shprehur Thaçi.

E të gjitha këto ngarkesa të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë qenë të pajisura me dokumentacion përcjellës i cili e dëshmon sigurinë e produktit.

Thaçi tutje thotë se AUV ka në mandat kontrolli vetëm aspektin shëndetësor të produktit, ndërkaq që sasia dhe çmimi kontrollohet nga Doganat e Kosovës.

Fatmirësisht, në vitin e fundit, ai thotë se nuk ka pasur ndonjë rast të dyshimtë të ndonjë ngarkese me mish.

“Në vitin e fundit nuk kemi pasur ndonjë rast të dyshimtë të ndonjë ngarkese me mish. Të gjitha kanë qenë të pajisura me dokumentacion sipas ligjeve në fuqi, mbi secilën është ushtruar kontroll i rregullt sipas procedurës nga inspektorët veterinarë kufitar”, ka thënë Thaçi në një përgjigje për lajmi.net.

Skandali me mishin e prishur ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës edhe në atë të Belgjikës.

Si rrjedhojë, prokuroria dhe inspektorati ishin vënë në lëvizje për largimin nga tregu të sasive të mishit pa afat, si dhe gjetjen e personave përgjegjës për futjen e këtij produkti pa cilësinë e duhur për konsum.