Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ka përfunduar intervistimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Që nga ora 10:00 e mëngjesit e deri në orën 15:00, ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Drenicës, Sami Lushtaku, është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, raporton lajmi.net.
Lushtaku në Hagë ishte i shoqëruar me dy avokatët e tij, Arianit Kocin dhe Geoffrey Nice-in, të cilin e ka angazhuar së fundi për mbrojtje në Gjykatën Speciale.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme intervistën për dy ditë radhazi e përfundoi ish-komandanti Rrustem Mustafa.
Mustafa dhe Lushtaku kanë qenë komandantë të rëndësishëm të zonave operative në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur, ndërsa pas luftës kanë mbetur aktivë në skenën politike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.
Po ashtu pranë Lushtakut në Hagë kanë qenë edhe familjarët e tij si dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.






