Raporti i Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur shkelje në dy kontrata për asfaltim rrugësh dhe ndërtim të trotuareve në disa fshatra të Podujevës, shkruan Llapi.info.

Sipas Zyrës së Auditorit, në këto dy kontrata, Komuna e Podujevës nuk kishte hartuar fare projektet ekzekutuese, por vetëm kishte iniciuar procedurat e prokurimit.

“Në dy raste për kontratat; Asfaltimi i rrugëve në fshatin Peran në vlerë 176.883 euro dhe ndërtimi i trotuareve në fshatrat; Siboc i Poshtëm, Surkish, Dumnicë, Lupc i Poshtëm, Llapashticë e Poshtme, Kërpimeh, Pakashticë, Letanc, Konushec, Gërdoc I, Gërdoci II, Halabak në vlerë 249,273 euro. Komuna nuk kishte hartuar projekte ekzekutuese, por kishte iniciuar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë. Shkaku i mungesës së projekteve ekzekutuese për ndërtimin/asfaltimin e rrugëve, sipas zyrtarëve të komunës, ishte mungese e stafit për hartimin e tyre”, thuhet në gjetjen e Auditorit.

“Ndikimi: Mungesa e projekteve ekzekutuese dhe inicimi i procedurave për projekte kapitale vetëm me paramasën dhe parallogari, rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimi të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve”, thuhet tutje.

Nga kjo gjetje, Auditori i Përgjithshëm i ka bërë një rekomandim kryetarit të komunës së Poduvës.

Rekomandimi: Kryetari duhet të sigurojë se për të gjitha aktivitetet e prokurimit që kanë të bëjnë me punë, të mos iniciohen procedurat pa u siguruar specifika të qarta sipas projektit ekzekutues të cilat mund të ndikonin në eliminim e vonesave dhe të kostove shtesë”, thuhet tute.

“Gjetja: Neni 20 pika 10 i Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik kërkon që “Specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të vetën’. Ndërsa pika 13 “Autoriteti kontraktues është përgjegjës për hartimin e projektit ekzekutues dhe i cili në mënyrë mandatorë duhet t’i bashkëngjitet specifikave teknike të cilat janë e dosjes së tëndit”. Asnjë autoritet kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësisht të projektit”, thuhet në raportin e ZKA-së./Llapi.info