Tre persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar, pasi një helikopter u përplas përderisa po lëshonte skitarë në Malin Petit Combin, në Alpet e Zvicrës, afër kufirit me Italinë dhe Francën.

Helikopteri i tipit B-3 u përplas në një zonë aterrimi gjatë një lëshimi të skitarëve të martën, thuhet në një deklaratë të policisë rajonale të kantonit Valais, raporton gazeta “The Guardian”.

“Pasi e kishte arritur majën e një mali që kulmon në 3.668 metra lartësi mbi nivelin e detit, për një arsye që hetimi do të duhet që ta përcaktojë, helikopteri rrëshqiti teposhtë shpatit verior” – thuhet në deklaratën e policisë zvicerane.

Piloti, një udhërrëfyes malor dhe katër klientët e tij ndodheshin në helikopter. Identiteti i tyre nuk është publikuar.

Shtatë helikopterë u dërguan në vendin e ngjarjes si pjesë e përpjekjeve për shpëtim.

Dy persona të lënduar u trajtuan shpejt para se të dërgoheshin me helikopter në spital në Sion, kryeqytet i kantonit Valais. Policia tha se një person tjetër u shpëtua më vonë.

“Tre personat e tjerë në helikopter fatkeqësisht u gjetën pa jetë” – thuhet në deklaratë.

Të hënën, në një pjesë tjetër të kantonit Valais, tre persona u mbytën nga një ortek, përfshirë një djalë 15-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara.