Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kandidati i LVV-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia, ka kohë që nuk ka qenë pjesë e diskutimeve dhe aktiviteteve publike.

Mirëpo, zgjedhjet e fundit të brendshme të LVV-së e kanë “qitë” në dritë edhe Vitinë.

Ai ka qenë pjesë e tyre dhe ka shpërndarë disa fotografi në facebookun e tij zyrtar, duke përshkruar kështu mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve në kryeqytet.

“Falë angazhimit dhe vullnetit tuaj procesi i zgjedhjeve të brendshme në Qendrën e Prishtinës u përmbyllë në nivelin e parë organizativ.

Gjatë këtij procesi u mbajtën zgjedhje dhe u zgjodhën organet drejtuese në 24 Pika gjithandej lagjeve dhe fshatrave. Po ashtu edhe për dy organizimet e reja që po themelohen për herë të parë në qendrën tonë si në të gjithë Lëvizjen, ajo e Gruas për VETËVENDOSJE! dhe Rinisë për VETËVENDOSJE!” shkroi Vitia në facebook.

“Zgjerimi e strukturimi i organizatës tonë po vijon dhe padyshim parë angazhimin e anëtarësisë do të vijojë vrullshëm edhe më tej. Angazhimi politik është një nga mënyrat më të vyeshme për përparimin shoqëror, veçanërisht në një organizatë si Lëvizja VETËVENDOSJE!” vijoi ai.

Vitia nuk hezitoi të falendërojë aktivistët e partisë, të cilët ndihmuan në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Falënderoj aktivistët e antarët e çdo Pike që me vullnetin e interesimin që i karakterizon në çdo proces ndihmuan me organizimin. Po ashtu duke dëshmuar seriozitet e devotshmëri për këtë proces demokratik në organizatën tonë secili dëshmoi dhe përgjegjësi qytetare.

Kohezioni ynë organizativ dhe politik e ka bazën në organet më të rëndësishme të Qendrës, pra Pikat, që nuk ndalen së punuari asnjëherë.

Suksese të gjithë të zgjedhurve!” përfundoi Vitia.