Nazim Feka është njëri nga disa punëtorët që janë larguan nga puna e KEDS. I njëjti po ankohet se pas 30 vjetësh është larguar nga marrëdhënia e punës pa ndonjë arsye.
Derisa Feka po mendon të ndjekë rrugën ligjore, nga KEDS janë arsyetuar se pranimet dhe largimet e punëtorëve është proces i zakonshëm.
Shërbeu për vite me radhë në Korporatën Energjetike të Kosovës. E më pas Nazim Feka u angazhua edhe në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizimi me Energji Elektrike (KEDS).
Por pas përvojës 30 vjeçare, ende pa arritur moshën e pensionimit, ai u njoftua papritur se është larguar nga puna, pa i dhënë ndonjë arsye.
E Feka, i cili ishte në pushim mjekësor kur e mori lajmin, thotë për T7 se ka filluar të ndjekë krejt rrugët ligjore.
Gjatë kësaj kohe ai po mbante pozitën e zyrtarit ligjor për transport. Ky vend pune u mbyll më 10 janar kur u bë riorganizimi në këtë kompani.
Ankesë fillimisht kishte dërguar në KEDS, por ata ia refuzuan si të pabazë.
Një tjetër ankesë ai e dorëzoi në Inspektoratin e Punës, të cilët deri në 6 muaj kanë të drejtë shqyrtimi. E, Kryeinspektori i punës, Valon Leci përmes telefonit, ka thënë se kanë shumë ankesa të punëtorëve dhe nuk mund të deklarohet në këtë fazë për këtë rast.
Mirëpo, në KEDS largimin e punëtorëve nga puna e shohin si proces të zakonshëm.
Në nenin 70 të Ligjit të Punës thuhet se punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e të punësuarit me një periudhë paralajmërimi. Por për këtë duhet të ketë arsye ekonomike, teknike ose organizative.






