Ndonëse është vendosur që nxënësit të rikthehen nëpër shkolla nga 14 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor mund të shtyhet edhe disa ditë të tjera. Këtë e ka paralajmëruar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ky paralajmërim i SBAShK-ut ka ngjallur reagime, por kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka treguar për Express pse është bërë një kërkesë e tillë

SBAShK-u po kërkon që nxënësit të mos kthehehn në bankat shkollore deri në momentin kur objektet shkollore të jenë të gatshme për t’u ofruar atyre sigurinë e nevojshme sipas rekomandimeve të IKSHPK’së.


Kryetari i SBAShK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Gazetën Express se kërkesa e sindikatës nuk është kërcënim, por rekomandim.

Kjo sipas Jasharajt po bëhet për të siguruar shëndetin e mësimdhënësve dhe nxënësve.

“Apeli jonë nuk është urdhër, është apel për përgatitjen e shkollave. Nëse do të gjendemi në të njëjtën situatë si deri më tani, është e logjikshme që të kërkohet shtyerja e mësimit. Ne jemi të thirrur që përveç gjërave tjera, të kujdesemi edhe për sigurinë e mësimdhënësve dhe nxënësve”, ka deklaruar Jasharaj.

Jasharaj tha se nëse nuk ofrohen të gjitha mjetet mbrojtëse dhe nuk kryhen të gjitha përgatitjet nëpër objektet shkollore deri më 14 shtator, do të kërkohet përsëri shtyrja e mësimit.

“Nëse nuk ka kushte higjienike, pajisje mbrojtëse për nxënësit e mësimdhënësit, për të gjithë stafin nëpër shkolla, nëse nuk ndahen hapësirat për ruajtjen e distancën prej 1.5m për nxënësit nga njëri-tjetri, dhe nëse objektet shkollore nuk janë gati sipas te gjitha rekomandimeve të IKSHPK’së, është e natyrshme të kërkojmë shtyrjen e mësimit sepse askush nuk ka të drejtë të rrezikojë shëndetin e nxënësve, masimdhënësve dhe punëtorëve tjerë nëpër shkolla”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj kërkoi që apeli i SBAShK’ut të mos përdoret si debat për të tjerët.

“Apelet tona mos të përdoren për debat për të tjerët, por alarm që të gjithë t’i kryejnë detyrat dhe mësimi të nis më 14 shtator. Po bëjmë apel t’i kemi të sigurta institucionet, sepse po na u kthyen shkollat në vatra të infeksioni, do ta kemi punën keq”, ka deklaruar Jasharaj.

Gazeta Express ka kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, lidhur me mundësinë e shtyrjes së mësimit edhe pas datës 14 shtator, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Ndërkohë, lidhur me kërkesën e SBAShk’ut, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNj thotë se SBAShK’u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Minsitrisë së Arsimit.

KMDLNj thotë se SBAShK’u asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve.

Po ashtu, KMDLNj përmend faktin se SBAShK’u ka arritur për një kohë të gjatë të paralizojë krejtësisht procesin mësimor, duke e dëmtuar kështu atë.

“Në këtë mënyrë SBASHK –u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBASHk-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësim nxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”.