Autoritetet kompetente në Kosovë thonë të kenë marrë masa për parandalimin e ndotjes së ajrit, megjithatë, ata pranojnë se ato janë të pamjaftueshme për të arritur një nivel të kënaqshëm të cilësisë së ajrit.

Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë paralajmëruar se Kosova, në veçanti Prishtina, gjatë stinës së dimrit do të përballen me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

Ndërkohë, problematika e ndryshimeve klimatike nuk gjen vend në programet dhe prioritetet e partive politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Gjatë viteve të kaluara, në stinën e dimrit cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Sipas të dhënave të atëhershme të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane, vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.

Termocentralet (Kosova A dhe B) veturat e shumta të vjetruara, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, menaxhimi joadekuat i mbeturinave konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka njoftuar se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës. Sipas IKSHP-së, vlerat e PM 2.5 gjatë dimrit pritet të jenë disa herë mbi vlerat normale.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritje të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore, do të jenë shqetësuese.

Temë diskutimi në nivel global së fundi kanë qenë ndryshimet klimatike. Në një raport të Kombeve të Bashkuara lidhur me klimën, u theksua nevoja urgjente për transformime shoqërore dhe ekonomike dhe marrje të masave për kufizim të emetimit të karbonit.

Ndërkohë në kohën kur Kosova pritet të ketë një Qeveri të re pas zgjedhjeve që do të mbahen më 6 tetor, subjektet politike të cilat janë në garë, asnjëra nga to në programet e tyre nuk e ka vednosur si prioritet mjedisin.

Merlina Beu – Muçaj, drejtoreshë e organizatës “Green Art Center”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova si çdo shtet tjetër, kontribuon në ndryshimet klimatike dhe në faktorët që ndikojnë në rritjen e ngrohjes globale dhe faktorëve tjerë ndotës.

“Institucionet dhe partitë politike që janë në garë (zgjedhore) duhet të kenë parasysh tashmë se ne jemi të ndikueshëm, qoftë nga benefitet, qoftë nga dëmet që vinë si pasojë e ndryshimeve klimatike në nivel global. Po ashtu, jemi edhe ata që e kemi impaktin tonë në nivel global. Kjo nënkupton që në nivel lokal duhet të merren masa dhe duhet të përcaktohen prioritetet dhe të zbatohen ato”.

Në dy vitet e fundit, shton Beu – Muçaj, Ministra e Mjedisit ka bërë zbatimin e disa masave që ndikojnë në cilësinë e ajrit ujit dhe tokës, por, sipas saj, kjo nuk mjafton pasi që duhet një zbatim më rigoroz i masave për mbrojtje të ajrit.

Kosova, thotë ajo ka ende nevojë për vetëdijesim qytetar dhe institucional sa i përket mbrojtjes së ambientit.

“Ne e shohim që ndotja e ajrit, sidomos në Prishtinë dhe zonat përreth, është nga elementet që e bën të pamundur daljen jashtë gjatë stinës së dimrit. Kjo vjen si pasojë e moszbatimit të shumë masave të nivelit nacional sa i përket reduktimit të ndotjes. Qytetarët duhet të kuptojnë dhe të trajtojnë mjedisin si pronë të përbashkët, kjo nënkupton se duhet të ulet përdorimi i thëngjillit dhe mjeteve të ndryshme që shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit.”.

“Krahas vetëdijes qytetare, duhet të ketë edhe vetëdije institucionale. Institucionet duhet të marrin masa konkrete që të ofrojnë kushte për qytetarët, të kenë mjete alternative që favorizojnë mospërdorimin e elementeve që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve në përgjithësi”, tha Beu – Muçaj.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit të Mjedisit, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë ndërmarrë disa veprime të cilat duhet të pasohen me veprime dhe investime më të mëdha.

Sipas tij, ndotja e ajrit është një problem mjaft i madh dhe është e pamundur që me veprime të shpejta të ndikohet në rënien e nivelit të ndotjes së ajrit.

Vitin e kaluar me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, shton Sahiti, ndaluan përdorimin e thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike si dhe në shkolla.

“Projekti më i madh që do të ndikojë më së shumti në reduktimin e ndotjes së ajrit është projekti për ndërrimin e filtrave për Termocentralin ‘Kosova B’. Ky projekt do të realizohet me fondet e IPA-së, fonde këto të cilat u miratuan në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Ky projekt do të fillojë se realizuari brenda këtij viti, por është projekt që do të zgjasë në vitet në vazhdim dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë”, thotë Sahiti.

Sa i përket vendimit për kontrollimin e emitimit të gazrave të veturave, të cilat po ashtu janë ndotës i madh i ambientit në Kosovë, Sahiti tregon se së shpejti pritet të bëhet zbatimi 100 për qind i këtij vendimi.

“Do të vazhdohet me inspektimet në terren në mënyrë që të konfiskohen të gjithë kamionët të cilët shesin thëngjill ilegal. Në Kosovë përdorimi i thëngjillit nga ekonomitë familjare bëhet në mënyrë ilegale dhe shqetësuese është se thëngjilli që përdoret nga ekonomitë familjare është i papërpunuar dhe nxirret ilegalisht nga depozitë që eksitojnë në Kosovë. Në vitin e kaluar kemi bërë inicimin e 30 lëndëve në gjykata për shitje ilegale të thëngjillit”, thotë ai.

Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar urgjentisht nga autoritetet kompetente që të përpilojnë një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në kryeqytet, largimin nga përdorimi i veturave të vjetra dhe veturat pa katalizator dhe masa të tjera.

Kosova ndërkohë është në proces të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, e cila si e tillë është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtje të mjedisit.

Banka Botërore vitin e kaluar pati deklaruar se nuk do të mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka publikuar tashmë strategjinë për ndryshimet klimatike, të cilën thuhet se e ka harmonizuar edhe me organizatat vendore dhe ato gjegjëse ndërkombëtare.

“Qëllimi i Strategjisë për Ndryshime Klimatike është që të mundësohet një kornizë gjithëpërfshirëse e politikave për zbutjen e ndryshimeve klimatike, bazuar në nivelin aktual të informatave. Në njërën anë, kjo strategji merr parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe në anën tjetër siguron udhëzime për hapat e ardhshëm që do të merren në kuptim të përmbushjes së kërkesave të BE-së dhe përgjegjësive të ardhshme globale, të Kosovës”, thuhet ndër tjera në këtë strategji.

Megjithatë, bazuar në praktikat e deritashme, ekspertët në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se sfidë e përhershme për institucionet mbetet zbatimi i strategjive.