Ekipi i kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalnyt, ka bërë thirrje të dielën për mbajtje të protestave masive në Rusi, javën e ardhshme, pasi mjekët kanë paralajmëruar se ai mund të vdesë brenda ditësh.


Navalny është kritiku më i madh i presidentit rus Vladimir Putin.

Protestat në mbështetje të Navalnyt pritet të mbahen disa orë pasi Putin të zhvillojë një konferencë para kombit, të mërkurën e javës së ardhshme.

“Është koha për të vepruar. Ne nuk jemi duke folur vetëm për lirinë e Navalnyt, por për jetën e tij”, ka thënë bashkëpunëtori i Navalnyt, Leonid Volkov.

Ai ka thënë se marshi i së mërkurës në orën 19:00 mund të jetë vendimtar në luftën kundër “djallit absolut”, apo edhe të jetë marshi i fundi i opozitës në vjetët në vijim.

“Thirrni të gjithë ata që njihni dhe dilni në sheshet kryesore”, ka thënë Volkov, teksa ka shtuar se protestat mund të jenë masive.

“Mos mendoni se asgjë nuk varet nga ne”.

Autoritetet kanë rritur presionin ndaj mbështetësve të Navalnyt në muajt e fundit, duke ndaluar më shumë se 10.000 protestues në protestat opozitare, që janë mbajtur në janar dhe shkurt të këtij viti.


Prokurorët rusë i kanë kërkuar të premten gjykatës që ta shpallë lëvizjen e Navalnyt, dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale, si organizata “terroriste”.

Përmes këtij hapi, lëvizja e Navalnyt mund të bëhet e jashtëligjshme në Rusi dhe mund të rezultojë me burgosje të anëtarëve apo edhe mbështetësve të tij.