Lokale - eSIMy

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump foli të premten me konfidencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë për arritjen e një vaksine brenda disa muajsh.

Presidenti tha të premten se qeveria amerikane po bashkëpunon me vende të tjera për të zhvilluar me ritme të përshpejtuara një vaksinë kundër koronavirusit, ndërkohë që punohet paralelisht për të përgatitur infrastrukturën për prodhimin dhe shpërndarjen sapo vaksina të jetë gati.

Në konferencën e përditshme për shtyp në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, të premten presidenti doli para gazetarëve, përsëri pa maskë, ndërkohë që zyrtarët e tjerë të administratës kishin vënë maska.

Presidenti u shpreh optimist se vaksina do të jetë gati në janar 2021, ndoshta edhe brenda vitit 2020 dhe tha se administrata e tij po mobilizonte forcat për ta shpërndarë menjëherë pas procesit të zhvillimit.

“Besoj se keni dëgjuar të flitet për janarin si afat. Një numër kompanish private po punojnë në këtë drejtim. Edhe qeveria është e angazhuar në këtë proces. Po punojnë pa pushim, 24 orë në ditë. Shpresojmë se do të arrijmë diçka brenda këtij viti, ose pak kohë më pas,” tha presidenti./oranews