Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.

Sekretari i Parë i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, e ka konfirmuar lajmin për Gazetën Online Reporteri.net.

“Po janë liruar”, ka thënë Haxholli për Reporteri.net.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban me anë të një postimi në Facebook ka konfirmuar lirimin e tre policëve si dhe ka marrë meritat për lirimin e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Një konfirmim Reporteri.net ka tentuar ta marrë edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, por as ai nuk i është përgjigjur thirrjes telefonike.

Kujtojmë se Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

Të njëjtit dolën sot sërish para Gjykatës së Kralevës në Serbi, ku raportohet se edhe u mor vendimi për lirimin e tyre.

Tre policët janë vizituar nga familjarët e tyre të premten, derisa njërit prej tyre i janë siguruar edhe barnat. /Reporteri.net/.