Plagët e shkaktuara nga një aksident i rëndë trafiku ia morën jetën 22-vjeçares Zana Gjevukaj në Qyshk të Pejës.
Aksidenti ka ndodhur më 1 prill të këtij viti.
Një veturë po voziste me mbi 80 kilometra në orë në një zonë ku ndalohej qarkullimi në shpejtësi mbi 60 kilometra në orë, në momentin kur e goditi për vdekje 22-vjeçaren.
Shoferi i veturës ishte një zyrtar policor, raportuan mediat muajin e kaluar.
Por, zyrtari policor i dyshuar për shkaktimin e aksidentit nuk e mbajti asnjë ditë paraburgim, raportoi sot portali Nacionale.
Zana Gjevukaj kishte mbetur e lënduar rëndë si pasojë e aksidentit që kishte ndodhur më 1 prill dhe për më shumë se një muaj ka qenë në gjendje të komës.
Fatkeqësisht, ajo nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra dhe vdiq më 4 maj derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.