Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një rast të grabitjes, që ndodhi dje në sheshin “Shadervan” të qytetit të Prizrenit, ku një shtetas japonez është grabitur nën kërcënimin e thikës nga tre persona të dyshuar e që njëri prej tyre është kapur nga Policia e Kosovës.

Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti i grabitjes, teksa shihen tre persona duke ecur në një drejtim, pas një kohe të shkurtër, takohen me viktimën dhe njëri prej tyre i lidh duart, ndërsa tjetri e kërcënon me thikë.

Sipas pamjeve të siguruara nga Sinjali, tre të dyshuarit përveç grabitjes që i bënë shtetasit japonez e terrorizuan edhe me kërcënimin me thikë.

Gazeta Sinjali sot ka raportuar se njëri nga tre të dyshuarit, fatmirësisht ka rënë në pranga të Policisë, sipas informatave të para ai është një i mitur.

I mituri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Grabitje’.

Me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh.