Lokale - eSIMy

Konferenca e Sigurisë që po mbahet në Munih, të premten nxiti shumë debate. Kjo pasi, të pranishëm në panel për herë të parë përballë njëri tjetrit ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura sipas parimit “Chatam Haus”, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë të publikojnë detaje nga takimi, një video-incizim ku flet Kurti, ka qarkulluar në rrjetet sociale.

Aty shihet që Kurti, mes tjerash ka paraqitur disa parime që sipas tij duhet të ndodhin për të vazhduar dialogu, gjithashtu çështjen e Minischengenit Ballkanik…

“Duhet të jenë tre parime në këtë dialog për të shëruar plagët. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, ka deklaruar ai.

Sa i përket Serbisë, Kurti përcolli mesazhin se vendet që e ndihmuan Kosovën të çlirohej nga Serbia, duhet të ndihmojnë edhe Serbinë të vetë çlirohet nga Kosova.

“20 vite më parë, gati të gjithë ju, na ndihmuat neve që të çlirohemi nga Serbia. Unë mendoj se tash është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova. Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, na duhet çlirimi i Serbisë nga Kosova. Ne u çliruam sepse ishim të okupuar, ndërsa Serbisë i duhet çlirimi sepse Kosova është një kurth për Serbinë. Sa më shpejtë që Serbia të çlirohet nga Kosova, do të jetë më mirë për te dy palët dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.”, u shprehë Kurti.

Kjo bëri që të nervozohej Vuçiq i cili edhe e kërkoi fjalën por nuk iu dha nga organizatori i konferencës.

Pas takimit, Vuçiq i është drejtuar mediave duke thënë se ka qenë një takim i ashpër, por që sipas tij, ai ka mbrojtur popullin serb.

“Kam luftuar për interesa të Serbisë dhe kam mbrojtur popullin serb, kjo është puna ime”, ka thënë Vuçiq.

Edhe pse sipas tij është mirë që ky takim është mbajtur, ai tha se do të ketë shumë probleme me të cilat do të ballafaqohet.

Gjithashtu pretendon se disa zyrtarë nga Prishtina, sipas tij janë të papërgjegjshëm.

Në këtë konferencë janë pjesëmarrës krerët e më shumë se 40 vendeve të botës, liderët e shumë institucioneve, ministra dhe ekspertë.