Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se, Kosova është e angazhuar për të kontribuuar në paqen dhe sigurinë e botës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas takimit që kishte sot me përfaqësuesit e lartë të shteteve të ndryshme të botës në Paris, ka thënë se, paqja dhe siguria në botë është prioriteti i aleatëve tanë

Sipas Pacollit, Kosova është fuqishëm e interesuar që të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e botës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Pacolli po ashtu ka shkruar se, Kosova është duke u angazhuar fuqishëm që të bëhet anëtare e INTERPOL-it dhe pjesë e mekanizmave të tjerë të sigurisë ndërkombëtare.

Postimi i plotë i Pacollit:

Me ftesë të autoriteteve më të larta franceze, sot mora pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të mbarimit të Luftes së Parë Botërore. Në mesin e përfaqësuesve të më shumë se 50 shteteve tē botës, pata nderin të jem edhe me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo, këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Trump John Bolton, zëvendësndihmësekretarin e shtetit Wes Mitchell, ministrin e jashtëm të Francës Jean Yves Le Drian, ministrin e jashtëm të Turqisë Mevlut Cavushoglu etj.

Paqja dhe siguria në botë është prioriteti i aleatëve tanë, ndërsa zotimi i Kosovës është i fuqishëm për ti kontribuar kësaj sigurie.

Ky është përcaktimi primar yni dhe në këtë funksion është edhe angazhimi ynë për tu bërë anëtar i Interpolit dhe mekanizmave tjerë të sigurisë ndërkombëtare.