Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kërkuar një qasje më gjithëpërfshirëse për të luftuar pasojat shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit të ri.

Ai tha se duhet krijuar një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme që prioritet kanë jetën e qytetarëve, por edhe ekoniminë pasi që, sipas tij, rënia e saj do të ndikonte direkt edhe në shëndetin psikik të tyre.

“Krizat si kjo me pandeminë e Covid-19 janë shumë të rralla. Përvojat se si shtetet janë duke u përballë me këtë krizë janë të ndryshme. Por, e përbashkëta e këtyre përvojave duket të jetë rritja e kapaciteteve mjekësore për aq sa ka mundësi, testimet e shumta, etj, çka mundëson kontrollin e pandemisë, e çka mund të ndihmojë në hapjen graduale dhe të planifikuar të ekonomisë, që mund të bëhet në faza të caktuara”.

“Mendoj, se qasja për ballafaqim më këtë krizë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë prioritet, por nuk duhet lënë anash as problematikën ekonomike dhe sociale të krizës”.

“Prandaj, besoj se duhet të krijohet një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme, ku mbrojtja e shëndetit të qytetarëve si prioritet numër një, të shoqërohet edhe me çështje që lidhen me mbrojtjen e ekonomisë”.

“Besoj, se ekziston një ndërlidhje direkte në mes të shëndetit dhe ekonomisë. Rënia e ekonomisë ndikon në zvogëlimin e qarkullimit të parasë, e kjo ndikon direkt në të ardhurat tatimore”.

Pacolli tha se zvogëlimi i këtyre të ardhurave tatimore ndikon edhe në mjetet që sektori i shëndetësisë do të ketë në dispozicion për përballje me pandeminë. Për më tepër, sipas tij, rënia e të ardhurave e punëtorëve të sektorit privat do të ketë ndikim edhe në shëndetin fizik dhe mendor të një numri të madh të qytetarëve, duke zvogëluar dhe dëmtuar imunitetin e tyre.

“Duhet të mendojmë për një plan të shpejtë të rritjes së kapaciteteve mjekësore, e në anën tjetër të bëjmë plane konkrete për “exit strategy”. Pra, duhet të mendohet se si të veprojmë tutje për një hapje të planifikuar të ekonomisë”.

Pacolli tha se duhet shikohet përvoja e shteteve të huaja në këtë luftë.

“Krahas strategjisë së izolimit të atyre që kanë pasë kontakte më të infektuar, strategji kjo e cila duket se po funksionon në Kosovë, përvoja nga Korea e Jugut, Gjermania, etj, tregojnë se testimet e shpeshta në një anë dhe identifikimi e mbrojtja e atyre me sëmundje kronike, janë po ashtu strategji e mirë për parandalimin e infeksioneve, uljen e vdekshmërisë, etj. Ekspertët e shëndetësisë dhe ata të ekonomisë duhet të punojnë së bashku”.

“Në këtë mënyrë, mund të arrihet një hapje e ekonomisë në faza të caktuara, ku në çdo faze duhet të hapen sektorë të caktuar varësisht nga shkalla e rrezikut dhe duke respektuar masat mbrojtëse të detajuara nga ekspertë shëndetësorë. Kriza që po e kalojmë është shumë-dimensionale. Prandaj, edhe duhet të trajtohet në këtë mënyrë”.

“Në fund dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo pandemi, kurse atyre që janë të infektuar ju urojë shërim të shpejtë”.

“Njëherazi, shpreh admirimin tim për punëtorët shëndetësorë, policinë, doganierët, bizneset që po furnizojnë popullsinë me mallra, si dhe për të gjithë ata që janë të kyçur në përballje të kësaj krize. Shpresoj se kalimi i pandemisë do të na gjejë më të fortë, më të bashkuar, dhe më të përkushtuar që të punojmë për një të ardhme më të mirë të Kosovës”.

“Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë shqiptarët!”.