Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se i ka thënë homologut të tij gjerman, Heiko Maas, se po të donte Gjermania do të liberalizoheshin vizat për Kosovën.
Ai këto komente i bëri në emisionin Zona e Debatit duke shtuar se i ka tërhequr vëmendjen diplomatit Maas, se një popull i vogël dhe i vetëm në Europë është duke u privuar nga kjo e drejtë, njofton Klan Kosova.
“E informova homologun Maas për ndjenjat emocionale të qytetarëve të Kosovës, madje shkova aq larg dhe i thashë se akuzohet Gjermania për bllokimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.
“Edhe një herë po e konfirmoi dhe po i bashkëngjitëm mendimit të qytetarëve të Kosovës, se po të kishte dashtë Gjermania, liberalizimi i vizave do të ndodhte”.
“Është dashur vetëm një përpjekje e vogël e dikujt nga politika gjermane për të ndodhur liberalizimi i vizave”.
“Prandaj unë nuk mundem ta paramendoi se dikush do të mund t’i kundërvihej dëshirës dhe vullnetit të Gjermanisë që Kosova të merr liberalizimin e vizave”.
“Plotësisht e kuptoj situatën në Gjermani dhe mund ta paramendoi se edhe tensionet politike siç jo stabiliteti i Qeverisë gjermane ka ndikuar në këtë çështje”.
“Unë sot i theksova homologut gjerman se kemi mbet një grusht njerëz dhe të vetmit në Europë që privohemi nga liberalizimi i vizave”.
“Gjermania na ka premtuar liberalizimin e vizave. Nuk ka zyre në Perëndim e cila nuk ka premtuar liberalizimin e vizave”.
“Mua më është thënë gjithkund: kaloni demarkacionin me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën është i garantuar”.