Organizata e Veteranëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, i ka bërë thirrje liderëve shtetëror që në takimin e 27 qershorit t’ia kujtojnë Serbisë krimet që i ka bërë në Kosovë.
Tre ditë para se të mbahet takimi në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kosovës dhe Serbisë, Organizata e Veteranëve të Luftëtarëve të UÇK-së (OVL e UÇK), ka kërkuar nga delegacioni kosovar që në këtë takim t’ia kujtoj Serbisë të gjitha krimet që ka kryer në Kosovë.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK, ka shkruar se më shumë se kurrë liderët shtetëror duhet të bashkohen dhe të kenë një qëndrim të njëjtë përpara Serbisë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Washington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë!”, ka shkruar Gucati ndër të tjerash.
Postimi i plotë i Gucatit, pa ndërhyrje:
Sot me shumë se kurrë udhëheqësit e Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha partive politike duhet të bashkohen dhe të kenë qëndrime të njëjta kur jemi përpara takimit me Serbinë, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve Kosovës ne veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bëjmë thirrje spektrit politikë të Kosovës të bashkpunojnë me njëri tjetrin dhe të jenë shembull i unitetit në vend dhe në rajon, vetëm të bashkuar mund të ecim tutje dhe të kemi zgjidhje sa me të mirë për Kosovën, ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Washington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë!.