Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se Agim Veliu, i cili ishte kundër një koalicioni me LVV-në, nuk është dashur të jetë pjesë e Qeverisë.

Por ajo thotë se, Veliu, jo vetëm që u bë pjesë e Qeverisë, por u bë zëri kryesor i LDK-së, ndonëse nuk mori pjesë fare në zgjedhje.

“Ardhja deri te mocioni, nuk mendoj se mund të reduktohet vetëm në momentet e fundit të mocionit. Është një histori më e gjatë. Brenda një partie ka zëra të ndryshëm. Por, rreth çështjes së koalicionit me LVV-në, kemi qenë një numër i madh i njerëzve që kemi besuar se partitë që ishin deri në atë moment në pushtet, vërtet e kishin sjellë Kosovën buzë humnerës. Këtë qëndrim e kishte edhe kryetari i LDK-së. Shkaku i shumë keqpërdorimeve nga ato parti, na mbeti vetëm bashkëpunimi me LVV-në. Nuk ka pasur asnjë pikë në legjislacionin e kaluar që s’kemi diskutuar bashkë me LVV-në. E kjo ma ka betonuar përshtypjen që këto janë dy parti që synojnë reforma të thella, e kanë seriozisht luftimin e kapjes së shtetit. Unë dhe shumë të tjerë s’kishim si ta shihnim gjendjen ndryshe përpos një qeverie mes LDK-së dhe LVV-së. Ishim të interesuar ta kishim një qeveri që s’do të varej as nga votat e PAN-it e as nga Lista Serbe. Ne tashmë e kishim këtë qeveri. U ndërtua jo vetëm një pritje shumë e madhe tek qytetarët, një shpresë që s’e kishin parë tepër gjatë, një qeveri që përfshinte njerëz tejet profesionistë, me të cilët pjesa dërmuese e qytetarëve, janë ndier krenarë. Pra e kishim një qeveri që nuk varej as nga votat e PAN-it e as nga ato të Listës Serbe. Programi qeverisës është hartuar në masë të madhe nga njerëzit e LDK-së. Por, u rritën përpjekjet për të prishur bashkëpunimin mes LDK-së dhe LVV-së. Problemi eskaloi kur zërat që ishin kundër një koalicioni të tillë, u bënë zëri themelor në LDK. Po flas për Veliun dhe të tjerët. Përkundër faktit se s’kishin marrë pjesë fare në zgjedhje, dhe përkundër që s’kishin ndihmuar në zgjedhje, ata u bënë zëri kryesor. Kur u arrit marrëveshja me LVV-në, ata që e kundërshtuan koalicionin, tani kërkonin që të kishin rolin themelor brenda qeverisë. Unë isha kundër sepse e dija se kjo s’çon në bashkëpunim të sinqertë. Nëse e kundërshton konceptim e një qeverie dhe partnerin qeverisës, pse duhet të jesh ti aty, për mua është përtej imagjinatës. S’ka asnjë kuptim të jesh në qeveri dhe të kërkosh çdo natë rrëzimin e saj. Po flas edhe për intervistat e zotit Hoti. Ia kam thënë disa herë që nëse nuk beson në këtë qeveri, ka njerëz që i besojnë. Këto kanë qenë momentet e tensioneve brenda LDK-së”, u shpreh Osmani në emisionin DESKU në KTV.

Osmani foli edhe për gjendjen me koronavirus, ku tha se ky virus i ka barazuar të gjithë, sepse sfida është e njëjtë në mbarë botën. Ajo tha se fatkeqësisht, sistemi shëndetësor në Kosovë ka pasur shumë pak investime, dhe tha se pjesë e programit qeverisës ka qenë edhe investimi në shëndetësi.

“Të gjithë në sistemin shëndetësor kanë bërë një punë të mrekullueshme. Investimi në shëndetësi nuk është shpenzim. Mendoj që ka pasur një punë të shkëlqyeshme të institucioneve, MSH-ja, ministria e Infrastrukturës, FSK-ja, e të tjera. Sot u informova se në Qeveri, edhe pas konsultimeve që i kemi pasur me ekspertë të së drejtës kushtetuese, vendimi është që të kemi vendime veç e veç për komuna, jo nga qeveria, por me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo do t’i japë në ndërkohë hapësirë Kuvendit për të ndërmarr masa për amandamentimin e disa ligjeve”, tha kryetarja e Kuvendit.

Ajo tha se synohet që edhe përtej 13 prillit të vazhdohet me masat që janë ndërmarrë deri më tani nga Qeveria.

Duke folur për çështjen e amandamentimit të legjislacionit në fuqi për pandeminë, ajo tha se është përgjegjësi e secilit deputet që të ndërmarrë të gjitha masat për lehtësimin e situatës në të cilën gjendemi.