Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas kthimit nga SHBA-ja ka treguar për temat që janë diskutuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe zotimet që ky ia ka dhënë asaj dhe kryeministrit Kurti.

E para e shtetit, tha se vizita atje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që synim kishte thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Osmani tha se milionat që dolën nga marrëveshja me MCC-në është investimi më i madh që Kosova ka pranuar nga SHBA në sektorin energjetik, duke thënë se SHBA po e ndihmon Kosovën në sektorët më të rëndësishëm.

Presidentja listoi temat që kanë folur në takimin me Blinken.

“E para ishte për fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Shumica dërrmuese e njohjeve dhe antërsimeve në masë të madhe janë edhe me përkrahjen e SHBA-së. Kemi diskutuar në esencë se si mund të forcohet pozicioni i Kosovës dhe si mund të rritet numri i njohjeve. Personalisht, Blinken, por edhe Biden, kanë qenë edhe në të kaluarën investues. Blinken është shumë i informuar se ku mund të punohet më shumë që Kosova të vazhdojë jetë storie suksesi. Kemi përkrahjen e SHBA që të bëhen hapa konkretë”, tha presidentja Osmani.

Ajo tutje tha se si temë e dytë ishte rreziku nga ndikimi rus në rajon dhe tha se kanë sqaruar pse është e rëndësishme për rajonin tonë që intencave ruse, për të cilat tha se janë historike që ta destabilizojë kontinentin europian, “kemi marrë përkrahjen e Blinken që të mos lejojë që këto qëllime të Rusisë të kenë sukses”.

Po ashtu, tema e dialogut, të cilin e përmendi edhe vetë Blinken, ishte ndër temat më të rëndësishme të diskutuara.

“U rikonfirmua që procesi të përqendrohet në njohje reciproke dhe kemi shprehur qëndrimet tona dhe e kemi informuar se ku qëndrojmë, p.sh për energjinë, me fazën e implementimit dhe çështje të tjera. Është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që assesi nuk shtyn përpara një çështje që do ta prekte sovranitetin dhe rregullimin kushtetues të Kosovës”.