Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ligjëratë të organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum në Slloveni, ka folur për liberalizimin e vizave, proces ky të cilit nuk po i dihet fundi.

Osmani ka thënë se Kosova po pret nga Bashkimi Evropian t’i japë fund këtij procesi, pasi “i kemi plotësuar të gjitha kushtet”.

Sipas saj, janë disa “zëra të vetmuat” në BE, të cilët po kërkojnë që procesi të kthehet në zero për rivlerësim. Por, ajo ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne presim që BE-ja të marrë masa sepse i kemi plotësuar kushtet. Janë disa zëra të vetmuar në BE që thonë ‘ta kthejmë procesin në zero dhe ta rivlerësojmë’. Kjo për ne është e papranueshme”, ka deklaruar presidentja Osmani.

“Imagjinoni sikur edhe vendet tjera të jenë të detyruara ta bëjnë këtë. Ne kemi qenë të detyruar që t’i përmbushim 94 kushte, pra më shumë se vendet e tjera. Ajo që kemi nevojë tani është që Komisioni Evropian të thotë ‘PO’. Ne duam të jemi optimistë dhe shpresojmë që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë”.

Ajo tutje ka folur edhe për agresionin rus në Ukrainë duke thënë se Rusia po tenton që përmes Serbisë ta shtrijë ndikimin e saj edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Serbia në vend që të orientohet kah BE-ja, është kthyer nga Moska. Duket qartë së po tenton të ecë në dy rrugë në të njëjtën kohë, por këto rrugë janë në drejtime krejt të kundërta”.

Sipas saj, NATO-ja duhet të fuqizojë rolin e saj në Evropën Lindor. “Kosova dhe Bosnjë Hercegovina duhet të jenë pjesë e NATO-s. Aq më herët që jemi pjesë e NATO-s, roli i Rusisë zvogëlohet në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Osmani./Telegrafi/