Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24- vjetorin e rënies, e ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci dhe mjekun tropojan, dëshmorin Hazir Malaj, njofton presidenca, transmeton Llapi.info.
“Liria dhe Iliri janë një. Konsistenca në luftën për liri ishte virtyt i Ilirit. Idealizmi e bëri që përpjekjes për lirinë e vendit të mos i ndahet deri në fund të jetës, duke u bërë hero i Kosovës. Sot e kujtojmë me respekt figurën e njeriut të radhëve të para të UÇK-së, i cili krahas bashkëluftëtarëve sikurse Hazir Malaj, synimin e brezave për liri e shtet e bën realitet. Për Ilirin e Hazirin duhet drejtësi, ndërkaq kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, ka theksuar Osmani.
I njohur me nofkën “Mërgimi”, Ilir Konushevci dhe doktori u vranë më 9 maj të vitit 1998, derisa kjo vrasje ende nuk është zbardhur.
Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, pasi ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në në përgjithësi.
Iliri u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.