Osmani: Kosova e Serbia janë dakorduar për të zhdukurit dhe të zhvendosurit në Bruksel, kjo duhet kundërshtuar
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ka marrë konfirmim nga Brukseli se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një dokument për çështjen e të zhdukurve dhe të zhvendosurve.
Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të publikojë marrëveshjen duke thënë se teksti duhet të bëhet sa më shpejtë publik.
“E para, nuk jam e sigurt nëse ai ju ka informuar që Brukseli më ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë rënë në pajtim lidhur me një tekst që është finalizuar, për të zhdukurit dhe të zhvendosurit, tash natyrisht ne i kemi kundërshtimet tona lidhur me krahasimin apo vënien në një paragraf me dhunë edhe të së zhvendosurve, me që Qeveria e ka bërë gabimin e rikthimin të kësaj çështje që ka përfunduar kohë më parë në dialog, meqë është kthyer kjo çështje, duhet ta dimë këtë tekst, duhet ta kemi si kërkesë që Qeveria t’ia dorëzojë Kuvendit”, thotë kryeparlamentarja, duke shtuar se duhet të dihet se çka është dakorduar për t’u kthyet të zhvendosurit.
“Ai tekst është dakorduar, e kam konfirmimin zyrtar nga Brukseli, ne duhet ta dimë se çka kanë vendosur ata nëse janë marrë vesh që të kthehen të zhvendosurit në shtëpitë e tyre”, shtoi ajo.
Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga partitë politike që të bashkojnë forcat, duke thënë se duhet që të kushtëzohet kjo temë me mosvotimin e buxhetit të Kuvendit që pritet të shkojë në seancë.
“Unë mendoj që kemi më shumë fuqi politikë se që mendojmë, krejt çka na ndalon është se nuk i bashkojmë forcat, kjo është një temë që duhet të na shtyjë t’i bashkojmë forcat, unë mendoj që duhet ta kushtëzojmë votimin e buxhetit me ndërtimin e shqiptarëve në veri po edhe me projekte të tjera në këtë pjesë. Ne duhet ta kushtëzojmë votimit e secilit ligj me një votim të ekzekutimit në hapësirën ku po kolonizohet veriu i vendit”, tha e njëjta, duke pyetur nëse për këtë marrëveshje kanë informacione edhe deputetët e partive të koalicionit.
“Unë nuk e di nëse zyrtarët e partive të koalicionit e kanë parë tekst, unë mendoj se duhet të informohemi, cila është ajo marrëveshje që është arritur për të zhvendosurit, meqë qenka e konfirmuar”, tha ajo./Express