Lokale - eSIMy

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka folur edhe njëherë lidhur me zhvendosjen siç thotë ajo të fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi nga ballina e zyrës së saj në Kuvendin e Kosovës.

Osmani thotë se në asnjë moment fotografia e cila është obligim me Ligj nga Protokolli i Shtetit, nuk është larguar, njofton Klan Kosova.

”Sa i përket fotografisë – në asnjë moment nuk është hequr, dje ka qenë procesi i zhvendosjes me qëllim që kjo zyrë në mënyrë të plotë me Ligjin, të mbajë fotografinë e presidentit aktual por natyrisht që rregullorja e Qeverisë nuk e obligon Kuvendin e Kosovës por Ligjin e njoh shumë mirë, Kushtetutën edhe më mirë e secili veprim ka qenë në përputhje të plotë me të dyja ato”.

”Në momentin kur është vendos fotografia e Presidentit Rugova që është praktikë e shumë vendeve të botës nga SHBA e në vendet tjera, ku themeluesit e shtetit vendosen në ballë të zyrës”.

Ajo shton se procedura e zhvendosjes së fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi, i mori kohë 20 minuta.

”Deri tek gjetja e vendit konkret dhe të përshtatshëm dhe konkret sipas Ligjit për fotografinë e presidentit aktual kanë qenë ndoshta 15 deri 20 minuta jo më shumë – e në asnjë moment nuk ka pasur largim, gjithnjë në respektim të plotë të ligjit”.

Si i komenton Vjosa Osmani reagimet që pasuan pas raportimeve se fotografia e Presidentit Hashim Thaçi u zëvendësua me atë të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova?

”Intepretimet dashakeqe që kinse unë dëshiroj t’i hakmerrem ndokujt, janë vërtetë të ulëta sepse nuk kam ndjenjë hakmarrje bash kundër askujt në Republikën e Kosovës – kundër asnjë shqiptari madje as kundër të tjerëve. Përkundrazi qëllimi im është që të kem bashkëpunim të sinqertë në interes të vendit me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Republikën e Kosovës, në të njëjtën kohë që të japim shembull të respektimit të institucioneve”.

”Nëse dikush do t’i qes veprimet jashtë kontekstit siç ndodhi dje, do duhej që para se të bënte një gjë të tillë, të ishin vetë shembuj të respektimit të ligjit dhe shtetndërtimit”.

”Fotografia është aty ku duhet në përputhje me Ligjin, kurse fotografia e Presidentit Rugova – arkitektit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është pikërisht aty ku e meriton të jetë”.