Vjosa Osmani, bartëse e listës së LDK-së ka folur për disa pika që i ndajnë e për ato që i përbashkojnë partinë e saj me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se të gjitha pikat diskutabile do të diskutohen në ditët në vazhdim.
“Disa pika janë simbolike, e disa janë më thelbësore. Për ne Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe ne punojmë që Kosova të jetë projekt i përhedhshim, e jo si një hap kalimtar”, ka thënë Osmani, teksa ka shtuar se kjo është një çështje që LDK-ja as që mendon se duhet të përfshihet në programin qeverisës.
“Kemi aq shumë punë të bëjmë për ta forcuar shtetësinë e Kosovës saqë as që do t’i vjen radha kësaj teme”, ka thënë ajo, në Rubikon të KTV-së.
Ajo ka thënë se e sheh totalisht si të panevojshme çështjen e përdorimit të Lekut në Kosovë.
“Me Shqipërinë ka shumë hapësirë për bashkëpunim, natyrisht me raporte vëllazërore, si dy shtete të pavarura. Në tregti duhet të hiqen barrierat e vëna”, ka thënë ajo.
Kur ka folur për shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ajo ka thënë se e shohin pak më ndryshe nga Vetëvendosje.
“Kërkohet që krahas transformimit të FSK-së në Ushtri, të ndërtohen kapacitetet e plota, dhe më pastaj të fillojë një shërbim ushtarak i obligueshëm prej tre muajsh. Kështu ulet numri i rekrutëve dhe në aspektin financiar është më e lëvërdishme. Kjo po ashtu u ndihmon gjeneratave të reja ta respektojnë më shumë shtetin e tyre, dhe ta krijojnë një shprehi të punës”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se LDK-ja mendon se buxheti për ushtrinë të vihet në nivelin që e kanë shtetet e NATO-s.
“Me VV-në në këtë pikë mendoj se mund të gjendet një mes. Po na vjen mirë që VV-ja si parti e majtë po mendon se duhet të ketë më shumë buxhet dhe infrastrukturë për ushtrinë”, ka thënë Osmani.