Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Komunën e Prishtinës ku është takuar me kryetarin Shpend Ahmeti, dhe siç njofton kumtesa, e ka përgëzuar për menaxhimin e deritashëm të situatës me pandeminë Covid-19.
Në kumtesë thuhet se të dy theksuan se siguria qytetare është primare dhe se duhet fuqizuar bashkëpunimin ndërinstitucional në përballimin e pandemisë.
“Kryetarja Osmani potencoi se menaxhimi i situatës me pandeminë duhet të jetë fokus i gjithë spektrit politik dhe se bashkërendimi i nivelit lokal me atë qendror me qëllim të ndërmarrjes së hapave konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të vihet në funksion të tejkalimit të kësaj situate”, thuhet në kumtesë.
Osmani dhe Ahmeti, thuhet tutje, kanë ftuar qytetarët të përmbahen nga daljet e panevojshme dhe t`i respektojnë masat e kërkuara nga institucionet e vendit.






