Kompania B.S.N “Aviation”, e cila, së fundi, në Kosovë është regjistruar si kompani ndërmjetësuese për punësim në Gjermani, është duke u hetuar nga organet e drejtësisë.

Kështu ka deklaruar Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Haradinaj ka thënë se nuk ka rrezik për emigrim dhe lajmet e tilla nuk do të ndikojnë në liberalizimin e vizave.

Derisa, nuk e ka mohuar se kompania në fjalë është duke u hetuar edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetime janë duke u bërë edhe nga Departamenti për Krime Ekonomike.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju informojmë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i ka këto informacione dhe të njëjtat është duke i trajtuar në aspektin policor”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Informim, Policia e Kosovës.

Bujar Berisha, drejtori i kompanisë, nuk është paraqitur në takime.

Por, vetë drejtori i kompanisë O.B.M “Aviation”, me seli në Gjermani, Osman Tas, ka thënë për Kohavision se nuk është kontaktuar nga organet e drejtësisë për bashkëpunimin që ka me kompaninë ndërmjetësuese në Kosovë.

“Nuk kam dëgjuar se jemi duke u hetuar dhe nuk ka problem, le të hetojnë. Përgjigja ime për hetuesit është se garancia ime është kontrata e punës në Gjermani. Na kemi ardhur këtu se kemi dëgjuar se ka kërkesë të madhe për punë dhe ne mund të ofrojmë punë”, ka thënë Tas.

Por, ky biznes që funksionon si agjenci punësimi, nuk është licencuar as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marrëveshje vetëm me ato agjenci që ofrojnë mundësi punësimi, e që janë të licencuara nga Departamenti i Punës. Biznesi në fjalë nuk është licencuar nga Ministria dhe kemi asnjë lloj marrëveshje me të. Nëse ekziston një agjenci e punësimit që operon pa licencë, atëherë ekzistojnë edhe masat ndëshkuese të përcaktuara nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mimoza Kqiku, këshilltare në MPMS.

Megjithëkëtë, kompania ka vazhduar turneun e saj në vend.

Pas Prizrenit, të enjten kanë mbajtur takim informues në Prishtinë, ku janë shpalosur kushtet që duhet plotësuar për punësim.

Në Ministrinë e Tregtisë kanë informuar se biznesi në fjalë është regjistruar më 23 tetor, 2018.

“Si çdo person fizik dhe juridik që ka të drejtë të hapë biznes në Kosovë, edhe kjo kompani ka hapur biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Aktivitet primar kompania ka punësimin dhe adresa e saj është në Prizren/Kosovë dhe Gutersloh/Gjermani”, i ka thënë KTV-së, Zyra për informim, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kjo kompani ka informuar të interesuarit se dokumentacionin do ta pranojë deri me 5 nëntor në zyrat e tyre në Prizren.