Debat i ashpër është zhvilluar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Podujevës, në pikën kur po diskutohej raporti financiar 2019, në të cilën përmendet edhe subvencionimi i fermerëve, raporton Llapi.info.
Këshilltarët opozitarë kanë akuzuar komunarët se shpërndarja e subvencioneve, sipas tyre, po bëhet pa kritere dhe në mënyrë politike. Ata kanë kërkuar nga Drejtoria e Bujqësisë që t’i publikojë listat e përfituesve.
Sipas Rafet Llapashticës të PDK-së, ka pasur raste kur serrat janë zënë të mbjella me kanabis.
“Thatë janë mbështet fermerët. Duhet me qenë i gatshëm drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi, me i pasur listat e fermerëve të cilët janë mbështetur në vitin 2019. Duhet me e ditë se kush po mbështetet vazhdimisht e kush jo. E përmendi një rast, në fshatin Dobërdol një fermeri i janë dhënë tri serra nga Drejtoria e Bujqësisë, dy prej tyre i ka qitur në shitje. Është banalitet i madh. Banalitet i madh është me i dhanë serrë fermerit që mbjell kanabis në të. Kështu që duhet me pas kritere. Duhet listat me i sjellë drejtori i Bujqësisë, kurse në infrastrukturë qytetarët e shohin vetë gjendjen”, ka thënë Llapashtica.
Duke u munduar t’i mohojë këto akuza, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Vezir Januzi, ka thënë se mbështeten fermerët që meritojnë t’u dilet në ndihmë.
“Hera e dytë që Llapashtica paraqet që në serra ka të mbjellur kanabis. Kërkoj nga organet e drejtësisë që t’i hetojnë. Të gjithë fermerët që i kanë keqpërdor subvencionet do t’i paraqesim në gjykata dhe do të marrim masa”, ka thënë Januzi.
Në një kundër-replikë, këshilltari Llapashtica ka përmendur dy fshatra, ku në serra, sipas tij, janë zënë të mbjella me kanabis. këshilltari i PDK-së, ka thënë se s’ka kritere sa i përket mënyrës së shpërndarjes së subvencioneve për fermerët. Ai ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive që t’i publikojnë listat e përfituesve në çdo sektor.
“E them prapë, në fshatin Majac është mbjell kanabis në serrë. Po ashtu, edhe në fshatin Llugë ka mbjellë kanabis në serrë të Komunës, për këtë ka edhe të arrestuar. Për këtë, flasë për të gjithë drejtorët e Bujqësisë. Cili fermer nuk kërkon mbështetje? Ai i cili nuk është në parti me ty apo një tjetër? Kur flasë kam fakte dhe s’tërhiqem. Fermerët që ju i keni mbështetur kanë mbjellë kanabis në serra dhe janë arrestuar për këtë çështje, e po ashtu kanë qenë kryetarë të subjektit tuaj. Pra, të gjithë fermerët e meritojnë t’u dilet në ndihmë dhe jo vetëm ata politikë”, është shprehur Llapashtica.
Përveç në fshatrat Majac dhe Llugë, edhe një rast në fshatin Bradash është identifikuar një serrë e mbjellë me kanabis. Kështu ka thënë këshilltari i VV-së, Avni Fetahu.
“Drejtori Januz, pikërisht në fshatin Bradash është mbjellë kanabis në serrë. Brenda një periudhe dy-javore ka shkuar Policia dhe e ka identifikuar. Me pas ka pasur”, ka thënë Avni Fetahu.
Debati ka vazhduar, derisa këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se duhet të dilet në terren për t’i evidentuar shkeljet e subvencioneve.
“Për me ditë se çka punohet në serra duhet me dal drejtori në terren. Unë dal nëpër katunde. Për këto raste Policia u kanë dhe e kanë kryer punën e vetë. Na që japim me financua dikën, ato mjete duhet me i kontrollua a po hynë aty ku po duam”, ka thënë Llapashtica.
Pas këtyre, debati ka shkuar edhe në nivel qendror, kur drejtori i Bujqësisë, i tha këshilltarit të PDK-së se s’po i përmend shkeljet që PDK, sipas Januzit, i ka bërë sa ka qeverisur. Pas kësaj, Llapashtica i është kundërpërgjigjur duke i thënë se edhe në atë kohë, ai (Vezir Januzi) ka qenë zv/ministër.
Duhet përkujtuar se Komuna e Podujevës vazhdimisht akuzohet për mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve./Llapi.info






