Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Podujevës është miratuar buxheti për vitin 2021 dhe parashikimet buxhetore 2022-2023, seancë e cila kaloi me akuza të shumta në drejtim të komunarëve, njofton Llapi.info.
Prezantimin përpara asamblesë komunale të këtij buxheti e ka bërë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili ka thënë se Ministria e Financave ka përcaktuar kufijtë finalë të buxhetit për vitin 2021 dhe projeksionet për vitet 2022-2023.
“Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2021 është 23,853,654.oo euro. Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: nga Grandi Qeveritar në shumën prej 21,385,797.00 euro plus 1,125,298.00 euro nga klauzola e investimeve dhe nga të hyrat vetanake në shumën prej 1,342,559.00 euro”, tha Latifi.
Më tej ai ka prezantuar shpenzimet e ndara sipas kategorive ekonomike, planifikimin dhe strukturën e ndarjes së mjeteve nëpër drejtoritë përkatëse.
Në anën tjetër, me këtë nuk po pajtohen shoqëria civile dhe partitë opozitare në këtë komunë. Ato po konsiderojnë se qeverisja lokale në Podujevë i ka shkelur procedurat që duhet ndjekur për projekt-buxhetin para se të dërgojë në Kuvend për miratim.
“Buxheti për këtë vit është i ndërtuar dobët në çdo aspekt të tij. E për më keq, është hartuar një projektbuxhet duke mos përfillur procedurat e planifikimit dhe duke mos u konsultuar fare me qytetarët, gjë që implikon drejtpërsëdrejti shkeljen e procedurave ligjore për transparencë dhe llogaridhënie”, është shprehur këshilltarja e VV-së, Lirika Maliqi.
Sipas saj, për vitin 2021 ende flitet për meremetimin e rrugëve me zhavorr.
“Nuk keni parashikua subvencione për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. 25,000 euro për kanalizim ndoshta është mirë drejtori të sqarojë se çka do të bëjë me to, nëse veç mundet të bëjë diçka me to sepse me një planifikim të tillë leni përshtypje se Podujevën po e llogaritni si një fshat të vogël”, ka theksuar ajo.
Bashkim Syla nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se projektbuxheti, sipas tij, nuk është mirë i përgatitur.
“Si vitet e kaluara, prioritet i kësaj qeverie ka qenë urbanizmi dhe infrastruktura publike, duke lënë anash investimet në arsim dhe shëndetësi. Në këtë projekt-buxhet në urbanizëm dhe infrastrukturë janë planifikuar mbi 5,000,000 euro, kurse në arsim 232,026 euro dhe shëndetësi 566,930 euro. Ky projekt-buxhet nuk është ndërtuar mbi bazën e planifikimit dhe Strategjisë së zhvillimit ekonomik që është miratuar vitin e kaluar në këtë Kuvend. Te Drejtoria e Infrastrukturës nuk janë të paraqitura projektet mirë me detaje”, ka thënë Syla.
“Ndërtimi i trotuareve, ndriçimi publik, ndërtimi i urave janë përfshirë deri në dhjetra fshatra si dhe shuma që do të investohet në total pa u specifikuar rruga, fshati dhe sa do të investohet për secilin fshat ose vendbanim. Te shëndetësia janë planifikuar 316,000 euro blerja e pajisjeve mjekësore për QKMF. Është mirë të informohemi nga drejtori për çfarë pajisje bëhet fjalë pasi që në Strategjinë e zhvillimit ekonomik lokal janë planifikuar të investohen në: 31 Shërbime laboratorike në QKMF, 27 Shërbime laboratorike në QMF, 6 Shërbime në AMF-të që do fillojnë shërbimet nga 1 janari i 2022”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori për Shërbime Publike, Faik Muçiqi dhe ai për Planifikim Urban, Hamdi Jaha kanë thënë se kanë mbajtur dëgjime publike me qytetarë në muajin qershor.
Ndërsa, drejtori Jaha, nuk ka treguar për lokacionin për zonën ekonomike, por ka thënë se pas miratimit të hartës zonale. Kurse, drejtoresha për Kulturë, Donika Sfishta, ka thënë se objektin e ish-hotel Llapit do ta rinovojnë për bibliotekë.
Pas diskutimeve, ky projektbuxhet u miratua me votat e partisë në pushtet (LDK), derisa kundër kanë qenë VV dhe PDK./Llapi.info






