Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, pas një pune intensive hetimore, kanë zhvilluar veprime lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderaj, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, janë ndërmarrë veprime shtesë hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.
Arrestimet në gjashtë lokacione
Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit – të mbështetur nga Njësia Speciale Operative – kanë realizuar planin operativ “SYRIGANA” në gjashtë lokacione të ndara: pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicë e Veriut. Si rezultat, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte.
Gjatë operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Armë dhe pajisje të konfiskuara
Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë konfiskuar:
1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, në funksion të procedurave të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.






