Objekti i Kryqit të Kuq në Komunën e Podujevës nuk është funksionalizuar tash e nëntë vite prej se është ndërtuar.
Mungesa e mjeteve ka bërë që funksionalizimi të zvarritet. Madje, vitin e kaluar çatia dhe muret e brendshme të këtij institucioni kanë filluar të shkatërrohen, shkruan Llapi.info

Kryetari i Kryqit të Kuq të Kosovës-dega në Podujevë, Ahmet Ahmeti, ka thënë për Llapi.info se për t’i evituar këto prishje është dashur të investohet.
“Në objektin në ndërtim të Kryqit të Kuq të Kosovës, dega në Podujevë, vitin e kaluar është investuar në rregullimin e pullazit dhe disa mureve ndarëse brenda objektit”, ka thënë ai.
Më tej, Ahmeti ka shtuar se funksionalizimi i tij pritet të bëhet shumë shpejtë. Sipas tij, ky institucion ka marrë premtime nga donatorët për mjete të tjera.
“Dega e Kryqit të Kuq të Kosovës në Podujevë tashmë ka siguruar një shumë të konsiderueshme mjetesh dhe ka marrë premtime nga donatorë për mjete të tjera, në mënyrë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të kryhen të gjitha punët në funksionalizimin e objektit të ri”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe, kur është fjala për objekte të ndërtuara e që nuk janë në funksion nuk është i vetmi objekti i Kryqit të Kuq, kjo pasi që në Komunën e Podujevës ka edhe objekte tjera ku punimet janë kryer shume vite më parë, por që puna nuk ka filluar./Llapi.info






