Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një reagimi të bërë për media ka shprehur shqetësimin për gjendjen e arsimit në Kosovë dhe rezultatet e fundit në testin ndërkombëtar të PISA-s, duke u renditur ndër vendet me rezultatet më të dobëta jo vetëm në Evropë por edhe në Afrikë.
OAK ka kërkuar nga SBASHK-u që prioritet ta ketë arsimin dhe cilësinë e saj dhe jo vetëm rritjen e pagave.
“Kjo marrë parasysh faktin se edhe përkundër që Kosova ka papunësinë më të madhen në Evropë dhe rajon, pagat e mësimdhënësve në vendin tonë janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa niveli dhe cilësia e arsimit më e dobët se Afrika”, thuhet në reagim.
OAK konsideron se institucionet duhet të ndërmarrin masa menjëherë në mënyrë që të krijohen mekanizma për reforma në fushën e arsimit në mënyrë që të inkorporohen edhe shkollat profesionale ku të rinjtë tanë do të avancoheshin dhe do të kishin një arsimim më kualitativ.
Oda e Afarizmit të Kosovës rekomandon qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, institucionet e tjera kompetente, për komunikim urgjent arsim-biznes, në mënyrë që të prodhohen kuadro në bazë të kërkesës së tregut, të hapen shkollat profesionale dhe të ndërlidhen me punë praktike në biznese.
Tutje në njoftim thuhet se Oda e Afarizmit të Kosovës në vazhdimësi ka ngritur zërin dhe ka dhënë rekomandime Qeverisë së Kosovës për zbutjen e papunësisë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien, duke i njoftuar zyrtarët qeveritarët dhe institucionet me problemet dhe ngecjet ekonomike të cilat po rriten dita e ditës, prandaj OAK i bënë thirrje qeverisë në ardhshme të tregohet më vigjilente në këtë aspekt shumë të ndjeshëm dhe qenësor për vendin tonë.
Ndryshe, në të dhënat e publikuara në raportin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Kosova rangohet e treta nga fundi i listë me 79 vende.