Shkeljet që bëhen në komunikacion nga shoferët, shpesh përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë në rrahje. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur pas mesnate në rrugën ‘Dëshmorët e Lirisë’, ku katër persona të moshave nga 23 deri në 32-vjeç, janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshje në komunikacion.

Si pasojë e përleshjes, të gjithë kanë pësuar lëndime trupore, për çka kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Njësitet policore kanë arrestuar personat e përfshirë në rrahje dhe me vendim të prokurorit, të katërtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.