Emigrimi i qytetarëve për në vendet e perëndimit vit pas viti po vazhdon të rritet, derisa rritje të madhe ka shënuar edhe Podujeva, raporton Llapi.info.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, nga Podujeva kanë emigruar 2 mijë e 195 qytetarë.

Krahasuar me vitin 2020, Podujeva ka shënuar rritje për rreth 1 mijë persona më shumë që kanë braktisur vendin.

Ndërkaq vitin e kaluar (2021), në gjithë Kosovën, kanë emigruar 42 mijë e 728 persona.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

“Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, komune a vendbanimi”, thuhet në njoftim.

ASK konsideron se të dhënat vjetore statistikore për popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash.

“Sidomos, analiza për çështjet sociale dhe ekonomike në nivele të caktuara: komunale, kombëtare dhe rajonale. Të dhënat për popullsinë përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimet e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike”, theksohet tutje.

Ndryshe, popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1,773. 971 banorë rezidentë./Llapi.info