Lokale - eSIMy

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar gjendja e sigurisë në këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Sipas asaj që ka njoftuar komuna, në këtë takim, zyrtarë nga  Policia, KFOR-i dhe FSK-ja, kanë thënë se gjendja e sigurisë në Podujevë është e qetë dhe stabile.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Njazi Jashari, ka deklaruar se gjatë periudhës 1 qershor  2022 deri më datën 14 gusht 2022 janë 296 raste të raportuara, janë shqiptuar 1673 gjoba trafiku dhe janë konfiskuar 109 automjete.

Një shqetësim që ndau me anëtarët e KKSB-së, komandanti Jashari ishte mungesa e stafit policor dhe mosha e shtyer e disa prej zyrtarëve policorë, e cila, sipas tij, po përcillet me probleme shëndetësore ka bërë që të vështirësojë punën e Stacionit Policor në Podujevë.

Përfaqësuesja nga KFOR-i e vlerësoi si stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe foli për donacionin e ofruar nga ana e KFOR-it hungarez për brigadën e zjarrfikësve javën e kaluar.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi nga FSK e vlerësoi si të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Podujevë./Llapi.info