Kompania “Rahovica”, e cila linte qytetarët llapjanë pa ujë të pijshëm ditë e natë, ende as për së afërmi s’i ka kryer punimet e rrugës “Skënderbeu”, shkruan Llapi.info.
Ani pse për këtë rrugë janë ndarë mbi 1 milion euro, komuna e Podujevës ka ndarë sërish mjete, për siç thuhet “punë shtesë”.
Sipas kontratës së publikuar në faqen komunale, çmimi total për këto “punë shtesë” është 98 mijë e 183 euro.
Në kontratë nuk është përmendur fare se për çfarë “punë shtesë” bëhet fjalë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së në Podujevë, Valon Demolli.
“Rreth 100 mijë euro zhvaten në emër të rrugës “Skënderbeu” me kontratën e dytë të nënshkruar në emër të kësaj rruge. Paradoksi është se për njëjtën pune ka lidhur dy kontrata. Ligji i prokurimit i lejon punë shtesë me aneks kontrate për punët shtese që mund te dalin e që nuk janë te planifikuara, por ASESI nuk mund të zhvillohen procedura të reja prokurimi e të nënshkruhen dy kontrata për të njëjtën punë. Kjo është shkelje flagrante e ligjit dhe për këte e ftojmë Prokurorinë t’i hetoj këto keqpërdorime”, shkruan ai.
Kompania “Rahovia” ka qenë cak i akuzave të shumta nga qytetarët e kësaj pjese për ndërprerjet e vazhdueshme të ujit. Shto kësaj, uji s’u ndalke vetëm gjatë punimeve, por edhe gjatë natës.
Ndryshe, për këtë rrugë, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pati thënë se do të bëhet me gjithë infrastrukturën përcjellëse.
“Kjo rrugë do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve infrastrukturore, ku do të përfshijë gjelbërimin, trotuarin, shtigjet e biçikletave etj. Ky projekt infrastrukturor ka koston mbi 1 milion euro, me gjatësi mbi 4 km dhe do të përfundojë në tërësi vitin e ardhshëm”, pati shkruar ai./Llapi.info