Drita mori një fitore të madhe në udhëtim te Llapi në kuadër të javës së 28-të në Superligën e Kosovës.

Kampioni në fuqi fitoi 4-2 në Podujevë, duke vazhduar si lider në elitën e futbollit kosovar.

Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Ardian Nuhiu ka thënë pas ndeshjes se ai është shumë i lumtur që arritën t’i marrin tre pikë në një terren mjaftë të vështirë.


“Nuk diskutohet që është shumë vështirë për t’u fituar në këtë fushë, ishte një pjesë e parë e barabartë, pastaj jam i kënaqur që ne e shfrytëzuam pjesën e dytë në mënyrën më të mirë për të marrë të tre pikët”, ka thënë trajneri i Dritës pas ndeshjes për Art Sport.

“Ne e dinim që skuadra e Llapit është e lodhur nga ndeshja e Kupës ndaj Prishtinës”, ka shtuar më tej Nuhiu.

Pas javës së 28-të, Drita vazhdon të jetë lider me 61 pikë, gjersa Llapi gjendet në të shtatin me 33 sosh.