Lokale - eSIMy

Sot janë bërë një vit nga rasti i parë me COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Rasti i parë me COVID-19 ka qenë më 15 mars 2020 në fshatin Dumnicë. Burimi i infeksionit ka qenë nga një person që kishte ardhur nga Italia. I infektuari, 62 vjeç, dhe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pati udhëtuar në Kosovë direkt nga Italia, më 5 mars, 2020, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Infeksioni më pastaj ishte shpërndarë edhe në anëtarët tjerë të familjes.

Po në këtë Komunë ishte shënuar edhe vdekja e parë në Kosovë me COVID-19. Viktima ka qenë më 22 mars.

E, kjo komunë me rreth 90 mijë banorë, më vonë u bë si komuna me rrezikshmëri të lartë sa i përket rasteve aktive. Këtij rajoni iu shtuan dhjetëra viktima, ndërkohë që mbi 3 mijë llapjanë rezultuan pozitivë.

Me gjithë këta pacientë u përball vetëm një epidemiologe e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Bedrie Rama ka kujtuar edhe rastin e parë të infektuar me COVID-19 në këtë Komunë.

“Rasti i parë ka qenë më 15 mars. Nga e njëjta familje (Haliti) në Dumnicë, brenda dy dite kanë qenë të infektuar tre anëtarë. Tre anëtarët janë dërguar në Klinikën Infektive. Çdo ditë ekipet mjekësore nga QKMF në Podujevë kemi shkuar në këtë familje, kemi përcjellë gjendjen shëndetësore të familjarëve. Dy anëtarët e familjes e kanë kaluar me simptoma të lehta. Me datë 22 mars ka qenë rasti i parë me fatalitet në Kosovë nga COVID-19. Ky rast me fatalitet ka qenë 82-vjeçar, i cili ka pasur edhe sëmundje tjera përcjellëse. Nga kjo ditë është përcjellë më me shqetësim ky virus nga qytetarët llapjanë. Pas këtyre tri rasteve nuk kemi pasur raste tjera  deri më 28 mars. Edhe në këtë familje burimi ka qenë nga një familjar i tyre nga Italia”, ka thënë Rama për Llapi.info, duke falënderuar qytetarët e fshatrave Llaushë, Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme, që kanë respektuar rekomandimin 1 mujor në karantinë.

Më tej, Rama ka falënderuar veçanërisht mjekët, infermierët edhe stafin mjekësor që kanë punuar dhe po punojnë në qendrën anti-covid në Podujevë.

Ndërkaq, aktualisht në Llap janë 235 raste aktive me virusin korona. Deri tash janë raportuar 46 viktima, kurse 3050 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, trembëdhjetë viktima dhe 574 raste të reja me koronavirus u raportuan të hënën në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se tre raste të vdekjes janë regjistruar në Vushtrri, nga dy në Gjilan, Kamenicë dhe Prizren, si dhe nga një rast në Fushë Kosovë, Istog, Prishtinë dhe Skenderaj.

Rastet e reja pozitive, ndërkaq, rezultuan pas testimit të 3,570 mostrave.

IKSHPK-ja po ashtu njoftoi se në 24-orëshin paraprak, 394 pacientë u shëruan nga koronavirusi. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 77,827. Prej tyre, 1,715 pacientë kanë vdekur dhe 65,060 janë shëruar. Raste aktive në Kosovë aktualisht janë 11,058./Llapi.info