Edhe pas një viti që kur edhe kanë përfunduar zgjedhjet lokale, kompletimi i qeverisjes nga ana e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është duke u zvarritur, shkruan Llapi.info
Para pak muajsh që kur edhe u emërua drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, ajo e Arsimit ende udhëhiqet nga një ushtrues detyre.
Për këto dy drejtori i pari i Podujevës, Agim Veliu, gjatë fushatës thoshte se do të jenë prioritet i qeverisjes së tij, së bashku me atë të Bujqësisë.
E një gjë e tillë, nga PDK e Podujevës është duke u parë si sjellje e pa përgjegjshme e kryetarit aktual të Podujevës, Agim Veliu.
“Mendoj që kryetari Veliu e ka meruar një u.d. te Arsimit vetëm sa për t’i kryer disa pazare të veta dhe si rrjedhë e kësaj kemi edhe këto probleme të vazhdueshme me arsimin ne Podujevë. E keqja me e madhe e kësaj komune e posaçërisht zhvillimit te arsimit është vetë kryetari Veliu, ai tash e 20 vite emëron drejtor te shkollave të subjektit të vet politikë dhe pa kurrfarë kriteri, pastaj në shumë shkolla të Llapit ka pas drejtorë që ka qenë më shumë se 2 vite u.d. i drejtorit, vetëm që ta mbajë në presion dhe për qëllimet e tij politike”, ka thënë këshilltari i këtij subjekti, Arbër Blaku për Llapi.info
Blaku thotë se Veliu duhet të bëjë në komision në bashkëpunim me organet tjera, në mënyrë që të ndalet dhuna nëpër shkolla që kohët e fundit janë shpeshtuar në këtë Komunë.
“Prapë i gjithë problemi shkon te kryetari, ai duhet ta bëjë një komision strategjik, në bashkëpunim edhe me policinë dhe organet te tjera kompetente dhe te vlerësoj situatën në të cilën është siguria në shkolla dhe të merr hapa konkret për t’i ndaluar këto raste”, thotë ai.
Sipas tij, Veliu mos-emërimin e drejtorit të arsimit e ruan, siç e quan ai, për pazare politike.
“Mendoj qe drejtori i cili sot është ka e udhëheq arsimin në Llap nuk e ka nivelin që të merret me të gjitha problemet e arsimit ku janë grumbulluar tash e sa, dhe kur merret fakti që ai nuk ka përvojë në menaxhim. Kjo është shqetësuese, prapë e ndërlidhi me emërimin e u.d të arsimit, këtë drejtori kryetari është ka e ruan për pazare politike pasi qe dihet që kohëve të fundit numri për shumicë në Kuvend nuk i ka dhe tenton që këtë drejtori ta ketë në pazaret e veta”, ka thënë Blaku.
Ndërsa, Fitim Muçolli nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, në lidhje me këtë nuk ka dashur të flasë, ani pse për rastet e dhunës nëpër shkolla kishte reaguar përmes një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se institucionet qëndrojnë duarkryq.
“Dhuna në shkolla ndër vite, që po pasohet me raste të njëpasnjëshme alarmante edhe këtyre ditëve, siç duket nuk po arrin ti vetëdijësoj institucionet tona që të marin masa për ta ndalur një fenomen të tillë. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që të jenë sa më bashkpunues më stafin menazhues nëpër shkolla, ndërsa sygjerojmë Drejtorinë e Arsimit në Podujevë që sa më parë të filloj sistemimin i psikologëve nëpër të gjitha shkollat e Komunës sonë, poashtu të mundësohet organizimi i ligjeratave senzibilizuese për të rinjët tanë dhe gjithashtu të ndërmirrën hapa tjerë në drejtim të parandalimit të dhunës nëpër shkolla”, pati shkruar ai, por që nuk iu është përgjigjur pyetjeve të redaksisë.
Ndërkohë, edhe në mandatet tjera emërimi i drejtorëve dhe kompletimi i ekzekutivit është zvarritur nga ana e kryetarit të Podujevës, Agim Veliu./Llapi.info